
Uncategorized
Shiko renë, porsi njeri se si qan` e vajton,
Si ashik zemërthyer vetëtima si gjëmon;
Nganjëherë prapa resh përbirohet dielli,
Fshihet si’ burgosuri nga roj` e sert` që qorton.
Rudaki (858 – 941)
Shqipëroi: © Pupëza

Po qe dera mbyll, mos u largo menjëherë.
Edhe nëse çdo rrugë duket e mbyllur, prit.
Pak durim sa të dëftohen ca udhë të fshehta,
Që askush s’i kupton dot.
Rumi
Shqipëroi: © Pupëza

T’rrëzuemin due tá çoj nga balta,
due m’u ngjit’ mbi maje t’nalta
me shtegtar’ që kërkojn’ Dritën…
Ernest Koliqi

MË DI A NUK MË DI
nga Mitrush Kuteli
Më di a nuk më di se qaj,
më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
kur ngrihem i çmëndur të shkruaj
me gjakun e zemrës të shkruaj.
Më di a nuk më di se agimet
më gjejnë pa gjumë në shtrat,
me shpirt të shkretuar nga dhembja,
e dhimbshëm i pres perëndimet,
me ankth i pres perëndimet.
Më di a nuk më di se sot
u drodha kur pashë pranverën, (vjeshtën)
që zbriste me flladet e prillit (tetorit),
e ëmbël siç ishte qëmot,
e hidhur siç ishte qëmot.
Më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
ku ndjehem nga jeta i huaj,
nga vëndi i lemjes i huaj.
Më di a nuk më di

Njerëz të kësaj bote keq të katandisur,
Sa pak jan’ të urtë, po sa shumë të krisur;
Për një jetë të shkurtër dhe veten mjerane
Ranë peng e lakmisë në trille shastisur.
Sarmad Kashani (1590 – 1661)

Nëse dikush pyet sa jam i gjatë,
Rrudh vetullat dhe
Prek me dorë
Rrudhat e ballit –
Aq jam.
Rumi
Shqipëroi: © Pupëza

PRANVEROJNË QERSHITË
nga Lumo Kolleshi
Mbaroi dasma në kopshtin e qershive.
E vodhën bletët fustanin e bardhë të pajës
Diku e fshehën mes gjelbërimit të prillit.
Nuset e bukura me duart në mjaltë,
Netëve plot ëndrra flirtojnë me bilbilin.
Të ndezura në të kuq i pret maji…
Qysh sot e porosita tortën e shpirtit.

PIQU
nga Rumi
Asnji pasqyrë nuk u kthye ma në hekur,
Asnji bukë në miell,
Asnji kokërr rrushi i pjekun,
Ma s’u kthye në të thartë.
Piqu!
Largo çdo mundësi
Për me u kthye mbrapa.
Banu dritë!
Shqipëroi: © Pupëza

N’ty ma bukur lulzon prilli
Jan të kandshme stinë e mot
N’ty bylbyli pa le dilli
Këndon ambël të lumit Zot.
Islam Mehmet Bytyqi (1910-1934)
